| |
23 prill, 2010
Dita e Evropës 2010
Gjatë muajit maj do të organizohen një varg evenimente, që do të shënojnë Ditën e Europës - 9 maj 2010. Këtë vit, Bashkimi Europian kremton përvjetorin e 60-të të Deklaratës së Shumanit, e cila për herë të parë u prezantua për shtypin ndërkombëtar më 9 maj 1950.
Dita e Europës do të kremtohet në mënyra të ndryshme – Delegacioni i Bashkimit Europian, në bashkëpunim me disa partnerë lokalë, do të organizojë mbi 30 ngjarje, përfshirë edhe hepeningun multimedial, debatet, ligjëratat, konkurset, festivalet, koncertet dhe maratonin tradicional të Shkupit.
Hepeningu qendror multimedial do të mbahet në Strugë, ku nxënësit e shkollave fillore do t’i prezantojnë të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së. Ngjarjet më të vogla multimediale do të mbahen edhe në 6 vende të tjera, ku janë të vendosura Pikat Informative të BE-së.
Dita e Flamurit Europian do të shënohet tradicionalisht, me vendosjen e flamurit të Europës dhe atij të Maqedonisë në malin Vodno afër Shkupit, më 1 maj 2010. Sivjet, më 9 maj, Maratoni i Shkupit do tw mbahet për herën e katërt me radhë.
Midis evenimenteve të tjera, në Kumanovë, Tetovë, Negotinë, Dibër dhe Kriva Pallankë, do të organizohen pesë debate publike mbi çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me BE-në dhe anëtarësimin e vendit në BE.
Festivali i Filmit të Europës do të organizohet në bashkëpunim me Kinematekën nacionale dhe ambasadat e shteteve anëtare të BE-së, duke prezantuar disa nga arritjet e fundit të kinematografisë europiane. Ndërsa, në kuadër të edicionit të gjashtë të Asterfest-it, do të prezantohen filma të shkurtër dhe dokumentarë.
Dita e Europës në Shkup, do të kremtohet me hepeningun e organizuar në bashkëpunim me Komunën Qendër, duke përfshirë edhe garën e “kamarierëve dhe kamariereve”, e cila do të mbahet 8 maj në qendër të Shkupit, si dhe koncertet e muzikës klasike nga kompozitorë europianë, me performancë të nxënësve të qendrës shkollore të muzikës dhe baletit “Ilija Nikollovski Luj”.
Me rastin e Ditës së Europës, Delegacioni i Bashkimit Europian do të mbështesë edhe Netët operistike të majit dhe Vallëzimin vjetor të studentëve.
Për nxënësit dhe mësuesit e shkollave fillore në Negotinë, Kriva Pallankë dhe Dibër, janë parashikuar ligjërata me tema që kanë të bëjnë me BE-në.
Qëllimi i përbashkët i të gjitha ngjarjeve është afrimi i procesit të integrimit europian, më afër qytetarëve të vendit, i cili ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Më 9 maj të vitit 1950, vetëm 5 vjet pas mbarimit të Luftës së dytë Botërore, në Kuej d’Orsej (Quay d’Orsay) në Paris, Ministri i atëhershëm francez i punëve të jashtme - Robert Shumani, mbajti fjalimin e njohur si Deklarata e Shumanit, i cili shënoi hapin e parë zyrtar drejt krijimit të institucionit që tani njihet si Bashkimi Europian. Deklarata përfshinte propozimin zyrtar për bashkëpunimin midis Francës dhe Gjermanisë, në sferën e prodhimit të thëngjillit dhe çelikut, në kuadër të organizatës së parë mbinacionale të Europës: Bashkësia e Thëngjillit dhe Çelikut.
Prandaj, gjithçka filloi atë ditë. Gjatë samitit të liderëve të BE-së në vitin 1985 në Milano, u vendos që 9 maji të festohet si “Dita e Europës".
Për më tepër informata mbi programin e Ditës së Europës, ju lutemi vizitoni linkun në vijim:
Teksti i plotë i Deklaratës së Shumanit:
http://europa.eu/abc/symbols/9-may/decl_en.htm
Më tepër mbi Ditën e Europës:
http://europa.eu/abc/symbols/9-may/euday_en.htm

|
|